Xhaka promovon ushqimet tradicionale shqiptare në mediat botërore: “Këtë e hamë çdo mëngjes!”

Ylli shqiptar i futbollit, Granit Xhaka, ka qenë së fundmi i ftuar në kanalin e njohur në YouTube, “SportBible”, ku ka marrë pjesë në një sfidë interesante shijesh.

Atij i është kërkuar të vlerësojë ushqime të ndryshme nga Britania e Madhe dhe vende të tjera të botës, por vëmendjen e mori momenti kur para tij u vendos tradita shqiptare.

Në njërën nga sfidat, Xhaka u përball me një zgjedhje mes ushqimit tradicional anglez “Pease Pudding” (një lloj pureje me bizhdale) dhe Ajvarit tonë të mirënjohur.

Pa u menduar dy herë, kapiteni zgjodhi menjëherë Ajvarin, duke shpjeguar me krenari rëndësinë që ky produkt ka në kulturën tonë.

“Pa dyshim që zgjedh ajvar,” u shpreh Xhaka. Ai shpjegoi për audiencën e huaj se ky është një ushqim që nuk mungon kurrë në tryezat shqiptare.

“Në Kosovë, të gjithë e hamë për mëngjes. Ndodhet në çdo shtëpi, madje edhe unë vetë e konsumoj rregullisht në shtëpinë time,” shtoi ai.

Megjithëse Graniti aktualisht luan në Gjermani për kampionët e Bayer Leverkusen dhe jeton atje, ai mbetet pika kyçe e kombëtares së Zvicrës, ku edhe është rritur e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.

Ky moment në “SportBible” ka treguar edhe një herë se pavarësisht suksesit në ligat më të forta evropiane, shija e vendlindjes dhe traditat e Kosovës mbeten të paprekshme në zemrën e tij.

Ky episod është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u vlerësuar nga fansat si një tjetër gjest i bukur i Xhakës për të promovuar kulturën shqiptare në sytë e botës.

Leave a Comment