
Qeveria zgjat masën për uljen e akcizave të derivateve të naftës deri më 15 qershor
Në mbledhjen e sotme, Qeveria vendosi të zgjasë masën për uljen e akcizave të derivateve të naftës deri më 15 qershor, me qëllim lehtësimin e presionit të çmimeve ndaj qytetarëve dhe ekonomisë.
Gjithashtu, pas bisedimeve me furnizuesin më të madh vendas të derivateve të naftës, OKTA, është siguruar një ulje shtesë prej 2 denarësh për litër, e cila do të hyjë në fuqi duke filluar nga nesër, 1 qershor.
Sipas vlerësimeve të Qeverisë, këto masa pritet të sjellin uljen e çmimit të naftës (dizelit) me rreth 6,5 denarë për litër, ndërsa benzina pritet të lirohet me afërsisht 1,5 denar për litër.
Nga Qeveria theksojnë se kjo përbën një mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët, sektorin e transportit, fermerët dhe bizneset, duke kontribuar njëkohësisht në stabilizimin e kostos së jetesës në kushtet e sfidave ekonomike globale.
Po ashtu, Qeveria ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërmarrë masa për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe forcimin e stabilitetit ekonomik të vendit.