SKANDALI ME AEROPORTIN E VLORËS / Behgjet Pacolli shpërthen në denoncim: Kush po tenton t’ma rrëmbejë investimin?

Kush po tenton t’i rrëmbejë aeroportin e Vlorës miliarderit kosovar, Pacolli denoncon skandalin e madh, zbulon se ka investuar 90 milionë euro dhe akuzon shtetin për “thikë pas shpine”, ja mesazhi i prerë për Ramën
Përplasja për Aeroportin e Vlorës ka degjeneruar në një skandal të paprecedentë shtetëror, ku ekipi ligjor i kompanisë së Behgjet Pacollit, “Mabco Constructions”, akuzon autoritetet për një “thikë pas shpine” ndaj investimeve të huaja. Përmes një reagimi zyrtar urgjent, zbardhet fakti tronditës se rreth 200 inxhinierë dhe punonjës të miliarderit kosovar po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që e kanë ngritur vetë. Pacolli, si zotërues i 98% të kuotave të koncesionit, denoncoi dje në rrjetet sociale se ky bllokim është një vetëgjyqësi e pastër kriminale e ortakut minoritar prej vetëm 2%, Valon Ademi. Në dokument theksohet se nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e kompanisë në projektin ku ajo ka investuar mbi 90 milionë euro direkte nga kapitali i saj. Përballë këtij agresioni administrativ, ekipi i Pacollit i ka dërguar një mesazh të prerë Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Infrastrukturës për të ndalur urgjentisht skenarin e grabitjes.

Avokatët ligjorë akuzojnë hapur Policinë e Shtetit se me mosveprimin e saj po favorizon puçin e ortakut minoritar, duke kryer një veprim material të pafavorshëm qeveritar. Kompania “Mabco” i ka bërë thirrje urgjente kreut të qeverisë të garantojë aksesin e lirë në kantier dhe të mbrojë terminalin e ndërtuar përpara se situata të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar. Ky skandal po trajtohet si një goditje e rëndë ndaj interesit kombëtar dhe sigurisë ekonomike, ndërsa vëmendja e opinionit publik është kthyer totalisht nga reagimi i ekzekutivit. Ndërkohë që tensioni në Vlorë mbetet në kulm, Pacolli ka paralajmëruar ndjekje të prerë civile dhe penale për këdo që po guxon të cenojë investimin e tij gjigant. “Deklaratë zyrtare e Ekipit Ligjor të shoqërisë Mabco Constructions S.A. Tiranë, 19 maj 2026! Sot, për herë të dytë, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po përsëritet e njëjta situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme me VETËGJYQËSI të Valon Ademit. Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.

Advertisements

Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valon Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier. Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z. Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi. Mabco Constructions S.A. nuk ka qenë dhe nuk është në asnjë rast nënkontraktor i shoqërisë VIA, siç tregohet qartë dhe pa asnjë dyshim në nenin 10.7 pika (iv) të Kontratës së Koncesionit. Mabco është ortaku mazhoritar, investitori kryesor, financuesi real dhe subjekti që përmbush kriteret teknike, financiare dhe operacionale mbi të cilat është dhënë vetë koncesioni. Është detyrë ligjore e autoriteteve qeveritare dhe e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) të lejojnë dhe të garantojnë aksesin e lirë në hyrje dhe dalje të kantierit, sipas nenit 7.1 pika (b) dhe (c) të Kontratës së Koncesionit.

Mosveprimi i autoriteteve shtetërore ndaj këtij vendimi arbitrar të një ortaku me vetëm 2% të kuotave përbën qartazi mosplotësim të detyrimeve kontraktore nga ana e shtetit shqiptar. Ekipi ynë ligjor ka njoftuar sërish dje Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë situatë të rëndë dhe për dështimin e Policisë së Vlorës që, edhe sot, nuk po garanton rendin publik, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës së investuar nga Mabco. Referuar nenit 1.1 të Kontratës së Koncesionit, Autoritet Kompetent nënkupton “çdo autoritet, ministri, agjenci, inspektorat, departament, gjykatë, gjykatë arbitrazhi, agjenci administrative ose komision, ose ndonjë organ tjetër qeveritar, bashkie, administrativ ose ent rregullator, (në secilin rast deri në masën ku secila nga të mësipërmet ka juridiksion mbi secilën ose të gjitha Palët, këtë Kontratë dhe/ose çështje të kësaj Kontrate).” Në këtë definicion është edhe Policia e Shtetit dhe referuar nenit 13.1, veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Shtetit, duke mos garantuar madje duke penguar aksesin e shoqërisë Mabco në pronën e saj, përbën Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar në dëm të një investitori të huaj.

Ne presim nga autoritetet kompetente që të ndërhyjnë menjëherë për:

– të ndalojnë këtë vetëgjyqësi kriminale;

– të garantojnë aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve tanë në kantier;

– të mbajnë të paprekur terminalin dhe veprën e ndërtuar nga Mabco.

Mabco Constructions S.A. kërkon të besojë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja dhe jo në VETËGJYQËSI kriminale të Valon Ademit. Do të vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona ligjore, civile dhe penale, ndaj çdo personi ose subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin kombëtar të projektit. Ekipi Ligjor i Mabco Constructions S.A”, shkruan Pacolli.

Pacolli: Veprimet në aeroportin e Vlorës janë të dhunshme dhe jashtëligjore

Por nuk ndalet me kaq. Biznesmeni shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli ka dalë sërish dje me një deklaratë në lidhje me përplasjet me ish-ortakun e tij Valon Ademit, pasi punëtorët e kompanisë Mabco nuk janë lejuar që të futen në kantieret e ndërtimit. Në një postim në “Facebook”, Pacolli i ka bërë thirrje policisë që të mos ndërhyjë, pasi sipas tij po shkelet ligji dhe Kushtetuta e vendit tonë. Sipas biznesmenit, ish-aleatët e tij po tentojnë me një kontratë të jashtë ligjshme që të pengojnë kompaninë e tij që të futet në kantieret e ndërtimit. “Për aeroportin e Vlorës! Veprimet e djeshme dhe të sotme të Valon Ademit dhe “administratorit” të tij të VIA-s, nuk kanë vend në një shtet të së drejtës. Interferimi i policisë në mbështetje të padrejtësisë është jashtëligjor, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, dhe cenon rëndë të drejtat njerëzore.

Ky veprim i dhumshëm, primitiv e brutal e mafioz i Valon Ademit, Vegim Hoxhës dhe Bujar Ejupit, po tentohet të arsyetohet përmes një të ashtuquajture kontratë, jolegale që Mabco e ka denoncuar ne Prokurorinë penale të Tiranës, me datën 8/01/2025. Kjo Kontrate ilegale është nënshkruar nga Valon Ademi dhe fabrikanti i falsifikimeve, Valon Lluka, së bashku me tri kontrata të tjera të 2A-së, po ashtu ilegale, të nënshkruara nga Valon Ademi dhe Valon Lluka, pa dijeninë dhe prokurën e Mabcos. Mabco është njoftuar për herë të parë për këto kontrata më datë 26.09.2025 dhe, pas analizës së juristëve të saj, i ka denoncuar ato në Prokurorinë e Tiranës. Sipas dëshmive të personave të përfshirë, këto kontrata janë nënshkruar gjatë vitit të kaluar, por në mënyrë të paligjshme janë post-datuar me data të vitit 2022. Sipas fakteve, këto kontrata të manipuluara kanë pasur për qëllim mashtrime për shtetin, BKT, përfitime jolegale e të paligjshme si dhe dëmtimin e Mabcos .

a) Mashtrimin e BTK-së;
për të përfituar shuma më te mëdha të kredisë,

b) Mashtrimet ndaj shtetit;
-Rritjen fiktive të shumave të investimeve për të përfituar ilegalisht nga pagesat e TVSH-së; si dhe

-Fryrjen artificiale të vlerës së investimeve për të mashtruar shtetin duke siguruar me shumë garanci për të hyrat nga frekuenca e pasagjerëve që sigurohej nga shteti,

c) Mashtrimin Mabco-s duke ia shtuar asaj, në mënyrë vëllimin e punëve (të zbritur nga vëllimi i 2A grup) por duke rritur artificialisht dhe në mënyrë abuzive çmimin e kontratave te 2A Grup.
Ftojmë organet e shtetit që të mos bien pre e narratives, mashtrimeve dhe veprimeve ilegale të Valon Ademit, por të veprojnë, në përputhje me vendimet e Gjykatës së Apelit, neneve të kontratës se koncesionit dhe ti urdhërojnë organet e policisë që të mos pengojnë hyrjen e punëtorëve të nënkontraktorëve të Mabco-s ne vendet e tyre të punës për të përfunduar punët e tyre dhe për të hyrë në posedim të dokumentacionit, gjësendeve të tyre dhe instrumenteve të tyre të punës. Çdo mospërmbushje në këtë drejtim cenon rëndë të drejtat e njeriut, të punëtorëve dhe pronës sipas ligjeve ne fuqi”, nënvizon Pacolli. Ndërkohë kujtojmë se Porta e aeroportit të Vlorës prej dy ditësh është mbyllur (dje dhe pardje). Dhjetëra punëtorë të kompanisë Mabco dhe nënkontraktorë të saj janë penguar nga policia private e kompanisë “Vlora International Airport” për të hyrë në kantier. Nga ana tjetër, kamionët dhe punëtorët e “2A Group” vijojnë normalisht punën brenda aeroportit.

Leave a Comment

2