
Mbrëmja e djeshme në “Ferma VIP” ishte e mbushur me emocione të forta dhe largime të papritura, ku Vanesa ishte banorja që u desh të linte garën përfundimisht.
Largimi i saj ishte veçanërisht i vështirë për Indrin, i cili u pa të shpërthente në lot për këtë ndarje.
Megjithatë, trishtimi nuk zgjati shumë, pasi shtëpia mirëpriti banorë të rinj, përfshirë një vajzë të quajtur Klevisa. Situata mori një kthesë interesante kur Klevisa, teksa po priste në oborr, u pyet nga prezantuesja se cilin nga banorët dëshironte ta shoqëronte brenda.
Ajo zgjodhi pa hezituar Indrin. Pas këtij momenti, dyshja u pa të ulej pranë njëri-tjetrit, ndërsa nuk munguan as të qeshurat mes tyre.
Kjo ngjarje nuk kaloi pa u vënë re, veçanërisht nga Vanesa, e cila ishte e ftuar ditën e sotme në emisionin “Ferma VIP Club”.
Ajo u përball me një sërë pyetjesh, përfshirë një thumbim mjaft të drejtpërdrejtë nga opinionisti Albano Bogdo. Ai nuk e kurseu opinionin e tij, duke i thënë Vanesës se Indri e mori shumë shpejt veten pas largimit të saj.
“Indri e harroi patericën pasi Klevisa hyri në shtëpi,” u shpreh Albano, duke theksuar se Indri vetëm ka qeshur dhe ka shkëmbyer ngacmime me banoren e re.
Kjo deklaratë ka ngritur edhe më shumë dyshime dhe pikëpyetje rreth ndjenjave të Indrit dhe të ardhmes së raportit të tij me Vanesën, ndërsa Klevisa duket se po bëhet një faktor i rëndësishëm në shtëpi.