
Policia ka bllokuar përkohësisht nisjen e protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, duke shkaktuar vonesa në organizimin e tyre, veçanërisht për grupet që po vinë nga Gostivari.
Sipas mediave, studentët janë mbledhur për të protestuar lidhur me provimin e jurisprudencës dhe kërkesën që ai të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Marshimi ishte planifikuar të nisej nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë në orën 16:30.
Në lidhje me protestën ka reaguar edhe aktivisti dhe organizatori Mevlan Ademi, i cili më herët ka raportuar edhe për raste të ndalimeve në pika kufitare dhe ka paralajmëruar reagim nëse nuk ka zgjidhje institucionale, duke përmendur edhe marshim drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në Kumanovë Policia ka ndaluar disa autobusë me protestues nga Tirana, përkatësisht rreth 5 autobusë, ndërkohë nuk ka ende konfirmim zyrtar nga autoritetet.
“Protesta pritet të fillojë në çdo moment, por policia ka ndaluar studentët nga Tirana dhe po kontrollon një nga një. Edhe studentët nga Tetova dhe Kumanova janë ndaluar nëpër pika pagesore”, tha Ademi.
Me pankarta “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, studentët kërkojnë që institucionet të respektojnë ligjin e gjuhëve dhe që ligji të mos mbetet thjeshtë në letër, por i njëjti të zbatohet.