
Publikohen subvencionet e reja: Fermerët mund të përfitojnë nga 150€ deri në 900€
Një lajm i mirë vjen për fermerët dhe prodhuesit vendorë, pasi është prezantuar skema e re e subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
Sipas njoftimit të publikuar, mbështetja financiare do të përfshijë disa kategori të rëndësishme, duke nisur nga sipërfaqet e kultivuara, blegtoria, bletaria, perimtaria, pemëtaria dhe vreshtaria. Pagesa bazë për tokat e kultivuara pritet të jetë 150 euro për hektar, ndërsa për disa sektorë të veçantë shuma mund të jetë edhe më e lartë.
Në këtë skemë përfshihen kultura si gruri, misri, tërshëra, thekra, luledielli, kungujt, fasulja dhe perimet. Po ashtu, mbështetje do të ketë edhe për fermerët që merren me blegtori.
Sipas listës së publikuar, lopët qumështore do të subvencionohen me 90 euro për krerë, buallicat me 180 euro, delet me 25 euro, ndërsa për bletarinë parashihet mbështetje prej 20 euro për koshere.
Një nga sektorët që përfiton më së shumti është vreshtaria, ku subvencioni mund të arrijë deri në 900 euro për hektar, përveç pagesës bazë. Mbështetje do të ketë edhe për prodhimin e verës, serrat, fidanët dhe prodhimet organike.
Risi në këtë skemë konsiderohen edhe eko-skemat, ku fermerët që punojnë me produkte organike të certifikuara mund të përfitojnë subvencione shtesë. Për shembull, drithrat organike mund të mbështeten deri në 450 euro për hektar.
Gjithashtu, është bërë e ditur se rreth 1000 grante do të ndahen për fermerët e rinj, me qëllim që të fuqizohet prodhimi vendor dhe të mbështetet zhvillimi i bujqësisë.
Thirrjet për aplikim pritet të hapen së shpejti, ndërsa fermerët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare për kushtet dhe afatet e aplikimit.